Secondary Adv

Ndryshojnë çmimet e karburanteve, nafta 216 lekë dhe benzina 172 lekë/litër nga sot

Bordi i Transparencës ka miratuar çmimet e reja tavan të karburanteve, që hyjnë në fuqi më 4 nëntor 2026, në orën 14:00.

Nafta do të shitet deri në 216 lekë për litër, ndërsa benzina deri në 172 lekë.


Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja maksimale për tregtimin e karburanteve në Shqipëri, të cilat hyjnë në fuqi sot, më 4 nëntor 2026, në orën 14:00.


Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë të naftës do të jetë 216 lekë për litër, ndërsa benzina do të tregtohet me një çmim jo më të lartë se 172 lekë për litër.


Për tregtimin me shumicë, Bordi ka përcaktuar çmimin maksimal prej 204 lekësh për litër për gazoilin dhe 160 lekësh për litër për benzinën.


Çmimet e reja do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të analizohen zhvillimet në tregun e hidrokarbureve dhe do të vendoset për ndryshime të mundshme.


Pezullim aktiviteti për operatorët që nuk respektojnë çmimet


Vendimi është marrë në zbatim të masave të përkohshme për kontrollin e çmimeve të hidrokarbureve, pas shpalljes së situatës së veçantë në treg përmes vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16 shtator 2026.


Bordi i Transparencës u ka kërkuar të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të respektojnë çmimet maksimale të përcaktuara. Sipas njoftimit zyrtar, subjektet që konstatohen në shkelje të vendimit do të përballen me pezullimin e aktivitetit.


Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se masat synojnë mbrojtjen e konsumatorëve nga luhatjet e çmimeve dhe ruajtjen e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.


Bordi i Transparencës do të vijojë të përcaktojë çmimet tavan të naftës dhe benzinës, duke vendosur kufijtë maksimalë me të cilët operatorët mund t'i tregtojnë këto produkte në tregun vendas.


Burimi: ekofin.al


Më të lexuarat